/

Shtohet frika për përshkallëzim – Paralajmërimi i Joe Biden: Pres që Irani të sulmojë Izraelin

Presidenti amerikan Joe Biden u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë të premten se ai pret që Irani të sulmojë Izraelin “herët a vonë”.

Ndërsa i pyetur se cili është mesazhi i tij për Iranin tani, presidenti tha: “Mos e bëj”.

Në përgjigje të pyetjeve nga gazetarët në sallë, nëse trupat amerikane ishin në rrezik – Biden u kthye në podium dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë “të përkushtuara” për mbrojtjen e Izraelit.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj mbrojtjes së Izraelit. Ne do të mbështesim Izraelin, do të ndihmojmë në mbrojtjen e Izraelit dhe Irani nuk do të ketë sukses”, citohet të ketë thënë Biden, shkruan CNN.

SHBA ka qenë në gatishmëri të lartë për një sulm të rëndësishëm hakmarrës iranian ndaj Izraelit në ditët e fundit, ndërsa frika rritet për një luftë më të gjerë rajonale.

Mbetet një kërcënim “i vërtetë”, “i besueshëm” dhe “i zbatueshëm” i Iranit që të nisë sulme, tha Shtëpia e Bardhë të premten, pas sulmit të Izraelit ndaj një kompleksi diplomatik iranian në Siri javën e kaluar që vrau tre gjeneralë iranianë.

E Biden, i cili paralajmëroi këtë javë se Irani po kërcënonte një “sulm të rëndësishëm” ndaj Izraelit, ka marrë përditësime të vazhdueshme mbi situatën nga ekipi i tij i sigurisë kombëtare.

Kështu, SHBA dhe disa vende të tjera, duke përfshirë Britaninë dhe Francën, lëshuan udhëzime të reja udhëtimi për punonjësit e qeverisë në Izrael, ndërsa kërcënimi iranian po afrohej.

“Ne po e ndjekim këtë shumë, shumë nga afër”, tha John Kirby, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, i cili nuk pranoi të jepte informacion në lidhje me kohën e pritshme të kërcënimit.

Ndërsa Departamenti i Mbrojtjes po zhvendos asete shtesë në rajonin e Lindjes së Mesme “për të forcuar përpjekjet rajonale të parandalimit dhe për të rritur mbrojtjen për forcat amerikane”, theksoi një zyrtar amerikan i mbrojtjes për CNN, ndërsa Izraeli dhe SHBA po përgatiten për një sulm të mundshëm iranian.

Pentagoni ka punuar posaçërisht për të forcuar mbrojtjen ajrore për trupat amerikane të stacionuara në Irak dhe Siri, të cilat u sulmuan nga forcat e mbështetura nga Irani mbi 100 herë midis tetorit dhe shkurtit.

SHBA nuk po parashikon që Irani ose përfaqësuesit e tij do të sulmojnë forcat amerikane si pjesë e hakmarrjes së tyre, por po i lëviz asetet për çdo rast.

Leave a Reply

Your email address will not be published.