/

Edhe një rund i pasuksesshëm në Bruksel për dinarin

xr:d:DAFpE6rkgp0:43,j:3900525200583534421,t:23110209

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje të enjten edhe rundi i ri dhe i katërt në përgjithësi mes kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, për çështjen e dinarit serb, përdorimi i të cilit u ndalua në Kosovë në shkurt.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha pas takimit se pala serbe nuk ka ardhur me ide se si të trajtohet propozimi fillestar i të dërguarit të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, “por ata kanë paraqitur propozimin e tyre”.

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Beogradi “bëri gjithçka për të gjetur një zgjidhje”.

“Ne dolëm me një propozim konstruktiv dhe ai propozim u vlerësua nga Brukseli, pra Lajçak, si një bazë shumë e mirë për vazhdimin e bisedimeve”, tha ai.

Duke iu drejtuar mediave pas takimi, Petkoviq bëri të ditur se javën e ardhshme do të mbahet një rund tjetër bisedimesh.

“Në anën tjetër, kemi Prishtinën, e cila ka ardhur në Bruksel pa komentuar idetë e BE-së dhe kjo tregon qartë se pala tjetër nuk dëshiron të pajtohet për asgjë”, sipas tij.

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, u takua ndaras me kryenegociatorin Petkoviq, dhe me kryenegociatorin e Kosovës, Besnik Bislimi.

Për dallim nga takimet e kaluara, të enjten nuk kishte takim trepalësh mes tyre.

Lajçak kishte thënë ditë më parë se në takimin e kësaj së enjte synohej gjetja “e një zgjidhjeje të përkohshme” për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës.

Më 1 shkurt në Kosovë hyri në fuqi një rregullore e BQK-së, e cila ndalon përdorimin e dinarit serb për kryerjen e pagesave.

Për çështjen e dinarit serb, delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë zhvilluar edhe takime në të kaluarën, të cilat kanë përfunduar pa ndonjë përparim.

Rundi i fundit i bisedime për këtë çështje mes kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e BE-së, u zhvillua më 4 prill. Pas atij takimi, Bislimi deklaroi se palët ende kanë “dallime të mëdha”, ndërkaq Petkoviq tha se Kosova nuk tregoi “vullnet të mjaftueshëm” për të arritur një marrëveshje për këtë çështje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.