“Në tre vitet e fundit, Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë hapa të rëndësishëm dhe të qëndrueshëm në përmirësimin e sundimit të ligjit. Ne jemi në krye të luftës kundër kriminalitetit të organizuar dhe korrupsionit. Kemi nisur reforma ligjore të rëndësishme në fushën e sundimit të ligjit dhe kemi përparuar në përmirësimin e kapaciteteve të agjencive tona të sundimit të ligjit për të përballuar sfidat në terren”, deklaroi, ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.
Ministrja Gërvalla, duke folur për marrëdhëniet e Republikës së Kosovë me Bashkimin Evropian, tha se BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të mbështesin plotësisht anëtarësimin tonë në Këshillin e Evropës, i cili do të na ofrojë instrumente të nevojshme për të përparuar më tej në sundimin e ligjit, demokracinë dhe të drejtat e njeriut, për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.
Pas aplikimit zyrtar të Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, Gërvalla, kërkoi mbështetjen e Këshillit të BE-së dhe shteteve anëtare për kalimin e aplikacionit tonë për anëtarësim në BE tek Komisioni, në mënyrë që siç tha ajo “ne të fillojmë këtë proces të gjatë anëtarësimi që duhet, në fund të fundit, të plotësojë pritjet e popullit tonë, por edhe një premtim që ne – BE dhe Ballkanit Perëndimor – bashkë u bëmë, para më shumë se 20 vjetësh, në Selanik, dhe vazhduam të qëndrojmë besnikë ndaj asaj premtimi që premtuam prej atëherë”.
Ministrja Gërvalla në fund të fjalës së saj tha se Kosova nuk është vetëm shteti më i ri në Evropë, por është gjithashtu vendi me qytetarët më të rinj dhe me më shumë se 93% mbështetje për anëtarësimin në BE, vendi më pro-evropian në Evropë.