“Ne kemi ndërhyrë (në zgjedhjet e SHBA), ne po ndërhyjmë dhe do të vazhdojmë të ndërhyjmë. Me kujdes, saktë,… – siç dimë të bëjmë”, citohet të ketë thënë ai.
Biznesmeni rus Yevgeny Prigozhin tha të hënën se ai kishte ndërhyrë në zgjedhjet amerikane dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen.
Ky vlerësohet si pranimi i parë i tillë nga një figurë që është implikuar zyrtarisht në përpjekjet për të ndikuar në politikën amerikane, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Deklarata e tij postohet në prag të zgjedhjeve afatmesme në SHBA në përgjigje të një kërkese për koment nga një faqe ruse e lajmeve.
Prigozhin, shpesh përmendet si “kuzhinieri i Putinit” sepse kompania e tij e hotelierisë operon me kontratat e Kremlinit.
Ndryshe, kujtojnë mediat e huaja, në korrik, Departamenti i Shtetit i SHBA-së ofroi një shpërblim deri në 10 milionë dollarë amerikanë për informacion mbi Prigozhin në lidhje me “angazhimin në ndërhyrjen e SHBA-së në zgjedhje”.
Ai është goditur nga sanksionet e SHBA-së, Britanisë dhe Bashkimit Evropian.
Prigozhin ka mbajtur një profil të ulët publik deri kohët e fundit, por është bërë më i hapur gjatë rrjedhës së luftës në Ukrainë, përfshirë këtu duke kritikuar performancën e gjeneralëve rusë.
Në shtator, ai pranoi se kishte themeluar organizatën mercenare të Grupit Wagner, të lidhur me Kremlinin, e cila është aktive në Siri, Afrikë dhe Ukrainë.
Të premten e kaluar, ajo hapi një qendër në Shën Petersburg, një hap tjetër nga Prigozhin për të theksuar kredencialet e tij ushtarake.