/

“Asociacioni luan rol kyç këtu”, Gjermania kërkon sinjale nga Kosova para votimit për anëtarësim në KiE

Kosova është në hapin e fundit të procesit të aplikimit drejt KiE-së pasi ka marrë një votë dërrmuese në favor të anëtarësimit të saj në prill në Asamblenë Parlamentare. Më 17 maj, Komiteti i Ministrave i përbërë nga ministrat e jashtëm të secilit shtet anëtar, do të mblidhet, derisa ende nuk dihet nëse Kosova do të jetë në agjendë.

Nga Ministria e Jashtme gjermane janë përgjigjur nëse kërkohet që Kosova të bëjë hapa drejt themelimit të Asociacionit para se të anëtarësohet në Këshillin e Evropës.

Një zëdhënës i ministrisë tha për Euractiv  se Berlini është pro pranimit të Kosovës  në KiE dhe se bisedimet për këtë çështje tashmë janë duke u zhvilluar para takimit të 17 majit.

Ata shtuan se “është e rëndësishme për hapat e ardhshëm që Kosova tani të dërgojë sinjale të qarta në lidhje me mbrojtjen e minoriteteve, që është një çështje kyçe në Këshillin e Evropës”.

“Çështja e asociacionit të komunitetit serb luan një rol qendror këtu. Themelimi i asociacionit të komunave mbetet një synim për të cilin Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Argumenti se Kosova duhet të rrisë mbrojtjen për pakicat u përdor nga disa shtete anëtare dhe në debatin plenar, por u rrëzua gjatë diskutimeve me linjën se vendi që i bashkohet këshillit do t’i sjellë të gjitha pakicat dhe qytetarët nën mbrojtjen e tij, duke ofruar gjithashtu më shumë mekanizma për korrigjim.

Gjatë ditës së djeshme u raportua se çështja e votimit në aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës nuk është futur në agjendën e mbledhjes vjetore të Komitetit të Ministrave, përkatësisht të ministrave të jashtëm të 46 shteteve anëtare të KiE-së.

Sipas agjendës, ministrat e Punëve të Jashtme të 46 vendeve anëtare të Këshillit të Evropës do të mbajnë sesionin e tyre vjetor më 17 maj 2024, në kuadër të 75-vjetorit të Organizatës.

Kësisoj, mbetet ende çështja e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës do të jetë në agjendë kur ministrat e vendeve anëtarë të mblidhen në Strasburg më 16 dhe 17 maj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bëri thirrje të hënën që anëtarësimi në Këshillin e Evropës të mos ngatërrohet me normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë pasi, sipas tij, këto procese nuk e ndihmojnë njëri tjetrin.

Ai i bëri këto komente përmes një komunikate për shtyp pas një takimi me diplomatët e Quint-it dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me procesin e anëtarësimit në Këshillin e Evropës.

“Në rast se këto përzihen, kjo do t’i bënte dëm të pariparueshëm në njërën anë dialogut në Bruksel dhe në anën tjetër Këshillit të Evropës si institucion i ruajtjes dhe promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut”, citohet të ketë thënë kryeministri Albin Kurti në një komunikatë të publikuar nga qeveria.

Leave a Reply

Your email address will not be published.