Gjykata e Apelit në shtetin e Xhorxhias pranoi të marrë në shqyrtim vendimin e gjykatës më të ulët, që lejoi prokuroren e qarkut Fulton, Fani Willis, të vazhdojë të ndjekë hetimet lidhur me padinë ndaj ish-Presidentit Donald Trump për ndërhyrje në zgjedhjet e vitit 2020.
Vendimi ka të ngjarë të vonojë ecurinë e prosesit. Është rasti i dytë në ditët e fundit që gjykatat japin vendime në favor të ish-Presidentit dhe që mund ta shtyjnë nisjen e gjyqeve ndaj tij pas zgjedhjeve të nëntorit. Zoti Trump pritet të marrë emërimin zyrtar të Partisë Republikane si kandidat i saj për zgjedhjet e nëntorit.
Një ditë më parë, një gjykatëse në Florida vendosi të shtynte për një afat të pacaktuar fillimin e gjyqit ndaj zotit Trump lidhur me padinë për mbajtjen e dokumenteve sekrete pas largimit nga detyra.
Ish-Presidenti Trump dhe të paditur të tjerë në aktpadinë e Xhorxhias janë përpjekur ta largojnë zonjën Willis nga hetimet, duke argumentuar se marrëdhënia e saj intime me prokurorin e posaçëm Nathan Wade përbën konflikt interesi.
Gjykata e apelit pranoi ta merrte në shqyrtim kërkesën. Pas vendimtit të kësaj gjykate, pala humbëse ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës së Lartë të Xhorxhias për vendim përfundimtar.