Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë homazhe te varret e heroit, Ilir Konushevci dhe doktorit, Hazir Mala në 26-vjetorin e rënies së tyre.
Kurti ka thënë se komandanti Ilir Konushevci kishte kontribut të pashmangshëm në luftën çlirimtare të UÇK-së dhe lirinë e Kosovës pasi kishte barrë të dyfishtë, në njërën anë duhet ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, ndërkaq në anën tjetër duhet të sjellte armatim nga Shqipëria në Kosovë.
Sipas tij, Ilir Konushefvci do të mbetet emër i lartë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit dhe “lirisë tonë si popull”.
“Në mesin e tyre, ndër më të shquarit është komandanti Ilir Konushevci i cili kishte barrë të dyfishtë, në njërën anë duhet ta pasonte udhëheqjen e Zahir Pajazitit, ndërkaq në anën tjetër duhet panumër herë sa më shpesh sa më tepër i ngarkuar të sjellte armatim nga Shqipëria në Kosovë, pushkët e lirisë që mbanin ushtarët ishin pushkët e Ilirit, kontributi i trij i pashmangshëm. Emër i artë në historinë moderne të Kosovës, e cila është në themel të shtetit dhe lirisë tonë si popull”, ka deklaruar Kurti.
Shefi i ekzekutivit tha se në vitet e 90-ta është dashur të bëhet shumë punë vetëmohuese për luftë çlirimtare të suksesshme pasi siç thotë ai ushtarët dhe oficerët e UÇK-së kishin nevojë për furnizim, organizim e strategji, rekrutim nga disa njerëz të vecantë që e mundësuan lirinë e Kosovës si Ilir Konushevci e Hazir Mala.
Të enjten e 9 majit, mbushen 26 vjet nga vrasja e Ilir Konushevcit, njëri ndër themeluesit e UÇK-së në Llap dhe njëri ndër themeluesit dhe mbështetësit e sektorit të logjistikës për UÇK-në, dhe mjekut, Hazir Mala.