“Pak çaste më parë kam dorëzuar formalisht dhe zyrtarisht shkresën për lënien e mandatit të deputetes. Pas një reflektimi të gjatë, për të bërë të duhur për partinë time dhe votuesit që përfaqësoj, ky është vendimi i duhur. Mendoj se në politikë fatet individuale vlejnë të konsiderohen dhe rimendohen vetëm kur shkojnë në një kahje me fatet e njerëzve që përfaqësojmë. Kurrë e kundërta, megjithëse është bërë. Fati i njerëzve që përfaqësoj është misioni që zgjodha”, tha Duma.
Në një dalje për mediat nga selia e Kuvendit, Duma theksoi se një vendim të tillë e mori pas një reflektimi të gjatë duke shtuar se ka marrë vendimin e duhur.
Deputetja e Partisë Demokratike, Grida Duma e ka konfirmuar sot se ka lënë mandatin e deputetes në Parlamentin e Shqipërisë.
“Më e thjeshta për mua do të ishte të kisha qëndruar, të prisja të ndodhin dështimet që disa i parashikojnë, të vegjetoja, të bëja sikur nuk i shihja problemet e brendshme. Por, unë nuk i jam larguar kurrë përgjegjësisë”, shtoi ajo.
Mandati i Grida Dumës i kalon Ori Nebiajt, pasi në zgjedhjet e 2021 ka siguruar 5,599 vota preferenciale. Ende nuk dihet nëse Nebiaj do ta pranojë mandatin, pasi ajo gjithashtu është e angazhuar në botën e televizionit.
Një ditë më parë mandiatin e deputetit e la Alfred Rusha. Ai u largua për shkak të angazhimeve personale, ndërsa vendin e tij do e marrë Petrit Doda.