Drejtori i Klubit të Prodhuesve të Kosovës, Astrit Panxha, përmes një letre të hapur të publikuar në Facebook e ka denoncuar zëvendësministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashin, për vjedhje të idesë së “Made in Kosova”.
Panxha, thotë se kjo ide ishte e tij dhe e disa personave të tjerë që nga 2015-ta. Ai ka paralajmëruar se këtë çështje mund ta bëjë edhe lëndë gjyqësore.
“Unë fuqishëm besoj në vullnetin e mirë dhe dëshirën për ti përmirësuar gabimet. Te gjithë gabojmë Liza! Unë besoj që ti do të reflektosh pozitivisht mbi këtë çështje para se fillojmë me proceset gjyqësore! Prandaj në mungese të ideve origjinale Liza, po ta shtri prapë dorën e bashkëpunimit siç ta kam bërë në muajin prill të vitit 2023 për ‘Made in Kosova. Prandaj unë Astrit Panxha si autor dhe ideator i konceptit dhe fushatës ‘Made in Kosova’ do ti drejtohem Presidentes së vendit, Kryeministrit, Kryetarit te Kuvendit dhe te gjitha instancave relevante që të njoftohen për këtë tentim të përvetësimit dhe konfiskimit të pronës. Po ashtu nuk do të lë gur pa e lëvizur deri sa të triumfoj drejtësia morale dhe ligjore mbi këtë çështje.”, ka shkruar ai.
Postimi i tij i plotë:
Letër e hapur për Liza Gashi Zëvendës Ministre e Ministrisë së Punëve të Jashtme
E nderuar znj. Liza Gashi përmes kësaj letre po të drejtohem personalisht që të sqaroj dhe prezantoj para opinionit publik tendencën tënde për të përvetësuar konceptin Made in Kosova si dhe për të konfiskuar markën tregtare ‘Made in Kosova’. Miqësisht po të them se qasjen dhe mënyrën që e ke zgjedhur është totalisht e gabuar dhe më poshtë do ta argumentoj pse.
Në këtë letër po shkruaj jashtë mandatit të Drejtorit Ekzekutiv të Klubit të Prodhuesve të Kosovës si një individë që konsideron se veprimet tua qëllimshëm janë të drejtuara në përvetësimin në mënyrë arbitrare dhe të jashtëligjshme të drejtave ligjore në lidhje me konceptin ‘Made in Kosova’.
Po të bëj një përmbledhje të shkurtër se si është ideuar, krijuar dhe zhvilluar koncepti ‘Made in Kosova’.
Prezantimi i konceptit ‘Made in Kosova’ fillon në vitin 2014 në emsioin ‘7 ditë’ ku unë personalisht kam folur për rendësin e konsumit të prodhimeve vendore dhe i gjithë episodi është quajtur ‘Made in Kosova’. Pastaj me themelimin e Klubit të Prodhuesve të Kosovës, unë në cilësinë e Drejtorit Ekzekutivë para Bordit si autor prezantova idenë, konceptin dhe vizionin e ‘Made in Kosova’. Ky koncept u aprovua unanimisht dhe në tetor të vitit 2015 filluam përgatitjet dhe shpallem thirrjen kombëtare për ta dizajnuar logon dhe realizuar fushatën ‘Made in Kosova’. Shumë kompani aplikuan, por në një proces transparent dhe korrekt përzgjodhëm kompaninë Red Mill e cila dizajnoj logon dhe realizoj fushatën e parë ‘Made in Kosova’ në vitin 2016. Në vitin 2018 këtë logo e regjistruam si mark tregtare në emër te Klubit të Prodhuesve të Kosovës. Në vitin 2019 prezantuam edhe platformën ‘Made in Kosova’ të cilën e përkrahi financiarisht BERZHI. Me dhjetëra aktivitete janë bërë me markën tregtare ‘Made in Kosova’. Suksesi i konceptit ‘Made in Kosova’ buron në faktin se asnjëherë nuk është politizuar, asnjëherë nuk është personalizuar dhe asnjëherë nuk është keqpërdorur. ‘Made in Kosova’ është përdorur nga të gjithë dhe për të gjithë!
Me 14 maj te viti 2024, Liza ti po planifikon të organizon një event ku do të prezantosh logon e re ‘Made in Kosova’, platformën dhe vizionin për Made in Kosova. Në ftesë e ke shkruar: ‘ Përmes qasjes gjithëpërfshirëse të komunikimit, MiK-u ka për qëllim të promovojë rininë, kreativitetin dhe potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë në të gjitha fushat, me synimin që ta shndërrojmë atë në një dritare multifunksionale të informacionit dhe të ndërlidhjes.’ Një pyetje shumë e sinqertë është se çka kemi bërë ne që nga viti 2015 ? Kemi promovuar njerëz të suksesshëm nga të gjitha fushat, si Majlinda Kelmendin, Ramë Lahen, Nexhmije Pagarushen, organizatën Bonevet e me qindra njerëz tjerë nga te gjitha fushat duke treguar suksesin dhe potencialin e vendit tonë. Ku dallon koncepti jonë me konceptin tënd? Liza a e dinë se sa njerëz kane punuar për këtë ide dhe koncept? A e dine se sa kontributi financiar dhe jo financiar është dhënë për këtë koncept?
Dhe ti një ditë zgjohesh prej gjumit edhe vendos me përvetësua emrin, e kopjon konceptin dhe e propozon si një ‘vizion të ri’, një vizion tëndin Liza!
Me lejo të bëj një përmbledhje të 6 fakteve deri më tash mbi markën ‘Made in Kosova’:
Astrit Panxha: Autor dhe ideator – 2015
Klubi i prodhuesve: Aprovon vizionin ‘Made in Kosova’-2015
Red Mill: Dizajnues i logos dhe realizimi i fushatës se pare ‘Made in Kosova’ – 2016
Klubi i Prodhuesve: Regjistrimin e Markës Tregtare- 2018
BERZH: Financues i Platformës ‘Made in Kosova’. – 2019
Liza Gashi: Kopjuese e të gjitha pikave më lartë. – 2024
Liza e nderuar, ndër vite kam takuar e përcjell shumë zyrtar institucional të cilët vinë me një energjinë të madhe për të bërë ndryshime pozitive në vend. Disa prej tyre janë të sinqertë, profesionist dhe seriozisht bëjnë punë të shkëlqyer. Por është një kategori të cilët dëshirojnë të fillojnë çdo gjë nga e para. Unë them ata i kap njëfarë amnezie e përkohshme dhe diagnostikohen me ‘haresë institucionale’ sepse injorojnë shumë procese e punë që janë bërë në të kaluarën. Shumë mjete të taksapaguesve janë keq-shpenzuar në këtë formë, me të vetmin qëllim që të fillojmë nga e para sepse ‘unë e bëj më mirë se të gjithë të tjerët para meje’. Demi që i bëhet institucioneve dhe shoqërisë nga këta zyrtar është shumë i madh, sepse përveç që shpenzohen pa lidhje parat e taksapaguesve krijon edhe një neveri në shoqërinë tonë.
‘Made in Kosova’ ka filluar në vitin 2015 dhe jo në vitin 2024 Liza, je gati 10 vite vonë dhe nuk mund ta zhbësh dhe të fillosh nga e para!
Liza e nderuar, koncepti dhe aktivitetet përcjellëse ‘Made in Kosova’ janë përkrahur institucionalisht që nga ditët e para. Personi i parë institucional që ka dhënë përkrahje pa rezerve për këtë koncept ishte znj. Hykmete Bajrami në atë kohë Ministre e Tregtisë dhe Industrisë. Pastaj zyra e Kryeministrit ndër vite e ka përkrahur, Ministria e Financave, pastaj Ministria e Jashtme: bile një kohë edhe në faqen zyrtare e ka pasur logon ‘Made in Kosova’.
Sot MINT dhe KIESA po bëjnë një punë të shkëlqyeshme duke prezantuar produktet ‘Made in Kosova’ nëpër botë. Shumë donatorë e kanë përkrahur këtë iniciativë! Një fakt është i pakontestueshëm: Qeveritë janë ndryshuar, vitet kane kaluar por përkrahja për ‘Made in Kosova’ asnjëherë nuk ka munguar. Të gjithë e kanë përkrahur pa marr parasysh cilës parti i kanë takuar, përveç teje Liza!
Ti ke vendos me bë një ‘Made in Kosova’ të re, më e mira se e tashmja por me koncept të njëjtë, me fjalë të tjera me koncept të vjetër. Kjo qasje po me kujton një ngjarje që ka ndodhur gjatë luftës në regjion: në atë kohë bombardohej për tu shkatërruar një qytet i vjetër i antik, ndërkohë gjenerali që e sulmonte deklaroj ‘Mos u merakosni se do ta ndërtojmë një qytet të ri, më të bukur edhe më të vjetër se ky ekzistuesi’. Kjo është një qasje tipike kur tentohet të rishkruhet historia me manipulime dhe përvetësime! Liza ti po tenton me shkatërrua një koncept ‘Made in Kosova’ që është ndërtuar ndër vite dhe po mundohesh të ndërtosh sipas teje një më të mirë dhe më të vjetër se ky ekzistuesi! Kjo është një qasje tipike e një individi që në plan të parë e ka promovimin vetanak nën ombrellën e një institucioni publik. Por kjo ombrelle nuk do të mbron nga padia për shkelje të Drejtave Autoriale që është e dënueshme me Kodin Penal! Nuk do të mbron nga padia për shkelje të markës tregtare!
Prodhuesit e Kosovë që gjithmonë përulem para tyre, kanë investuar mjete financiare në shuma të mëdha në konceptin ‘Made in Kosova’. Shumë prej tyre e kanë futur si pjesë të paketimet të tyre. Paramendo se çfarë hutie do të shkaktohet tek publiku qarkullimi i dy markave ‘Made in Kosova’. Veprimet e tua me bëjnë të besoj se ti nuk e ke analizuar këtë aspekt të impaktit negativë si financiar ashtu edhe reputacional tek prodhuesit.
Liza ti mund t’i referohesh ligjeve në fuqi dhe të argumentosh se emri ‘Made in Kosova’ i takon institucioneve dhe se ato e kanë të drejtën ligjore mbi emërtimet zyrtare. Më lejo të të shpjegoj pak arsyen se pse e kemi zgjedhur emrin ‘Made in Kosova’ me shkronjën ‘a’ dhe jo me shkronjën ‘o’ në fund. Kjo përzgjedhje ka ndodhur sepse emri ‘Made in Kosovo’ është emri zyrtar që nuk mund të brendohet sepse është vulë administrative që përdoret nga shume institucione, dhe si praktikë ndërkombëtare mbetet e tillë vetëm në formë të shkruar pa ndonjë ndërhyrje vizuale. Ndërsa ne kemi brenduar ‘Made in Kosova’ pikërisht për faktin se është emër jozyrtar dhe në praktikat e shumë vendeve tjera emrat jozyrtar brendohen si psh:’ Made in Britain’ nga prodhuesit britanik. Për ne ‘Made in Kosova’ është komplementare me vulën administrative sepse i bashkëngjitet si shenjë e potencialit, kualitetit dhe mbi te gjitha e besimit në produktet dhe shërbimet tona. Me fjalë të tjera e kemi brenduar Kosovën.
Liza edhe në të kaluarën ka pasur iniciativa të ndryshme para se të fillon ‘Made in Kosova’ në vitin 2015. E kemi pasur ‘Young Europeans’ (Qeveria e Kosovës), Unë blej prodhime vendore (Aleanca Kosovare e Biznesit), Duaje tëndën (Lëvizja Vetëvendosje), e shumë të tjera. Të gjitha këto iniciativa kanë kontribuar pozitivisht në promovimin e Kosovës dhe produkteve të saja. Një nga iniciativat e fundit që është themeluar është ‘Image of Kosova’ ku disa të rijnë po bëjnë një punë fantastike në promovimin e Kosovës. Unë fuqishëm besoj që edhe në të ardhmen do të ketë iniciativa të ngjashme, askush nuk ka monopol mbi këtë fushë! Por mua me çuditë fakti se si ju Liza Gashi nuk erdhët me një ide origjinale dhe të re, por pikërisht me ‘Made in Kosova’? Pse Liza po mundohesh të përvetësosh punën e dikujt tjetër? Pse po mundohesh ta konfiskosh pronën e dikujt tjetër? A nuk mundesh të bësh diçka origjinale dhe kreative pasi që u solle aq përjashtuese ndaj krijuesve origjinal të ‘Made in Kosovës’!
Liza e nderuar, ju me pozitë zyrtare jeni Zëvendës Ministre e Punëve të Jashtme. Nganjëherë fuqia që buron nga pozita zyrtare na e mjegullojnë vendimmarrjen racionale. Por ky mjegullim fatmirësisht nuk është mbi Ligjet e Republikës së Kosovës dhe Rendit Kushtetues. Përmes tyre buron fuqia e Demokracisë përmes së cilës mbrohen shumë të drejta, e disa nga ato janë të drejtat e autorit si dhe e drejta mbi pronësinë e markave tregtare. Fakti që ti ke filluar një proces dhe dëshiron të përvetësosh punën dhe pronën e dikujt tjetër me le te besoj se je duke e keqpërdorur pozitën zyrtare. Prandaj unë Astrit Panxha si autor dhe ideator i konceptit dhe fushatës ‘Made in Kosova’ do ti drejtohem Presidentes së vendit, Kryeministrit, Kryetarit te Kuvendit dhe te gjitha instancave relevante që të njoftohen për këtë tentim të përvetësimit dhe konfiskimit të pronës. Po ashtu nuk do të lë gur pa e lëvizur deri sa të triumfoj drejtësia morale dhe ligjore mbi këtë çështje.
Unë fuqishëm besoj në vullnetin e mirë dhe dëshirën për ti përmirësuar gabimet. Te gjithë gabojmë Liza! Unë besoj që ti do të reflektosh pozitivisht mbi këtë çështje para se fillojmë me proceset gjyqësore! Prandaj në mungese të ideve origjinale Liza, po ta shtri prapë dorën e bashkëpunimit siç ta kam bërë në muajin prill të vitit 2023 për ‘Made in Kosova’.
Me datat 2 dhe 3 tetor 2024 në Berlin po organizoj panairin më të madh ndonjëherë dedikuar Diasporës sonë të dashtun, Global Albanian Gastronomy Festival ku do të marrin pjesë mbi 150 kompani nga Kosova dhe rajoni. Je e mirëseardhur të bashkëngjitësh në këtë projekt sepse fusha e Diasporës është nën kompetencat e tua institucionale. Por më duhet të të paralajmëroj paraprakisht: idetë që potencialisht mund ti sjellësh në tavolinë, aman mos i kopjo nga dikush tjetër! Dhe nëse vendos të bashkëpunosh për këtë projekt, të premtoj që do të bëjmë një punë të shkëlqyeshme për vendin tonë!
Për fund Liza, me këto veprime tua edhe Lizën në botën e çudirave e ke çudit!