Hapjen e temës për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, opozita e konsideron lojë hileqare të kryeministrit të Kosovës, për ta larguar vëmendjen nga procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Sipas opozitës Qeveria e Kosovës nuk mund të ndikoj në votim pa realizimin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Xhavit Haliti ka thënë se pa realizmin e kushtit të vendosur nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, deklaratat nga Qeveria Kosovës nuk mund të ndikojnë në votimin pro për anëtarësimin e vendit tonë në KiE.
“Mendoj që ne nuk mund t’ia hedhim Këshillit të Ministrave për të votuar pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Mendoj që vendimi i Asamblesë Parlamentare ka qenë shumë i shpejtë, në përputhje me zotimet që kanë pasur dhe kushtet që kanë nxjerrë. Tani kemi një kusht për ta realizuar, nëse ai nuk realizohet unë nuk e besoj që me deklarata nga Qeveria e Kosovës ose nga ministrja e Punëve të Jashtme ose nga kryeministri që ia mbushi mendjen Komitetit të ministrave për ta votuar”, potencon Haliti.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj në një prononcim ka thënë se kryeministri Albin Kurti e ka hapur temën e zgjedhjeve të parakohshme për ta shmangur diskutimin e largimit të Kosovës nga agjenda e Komitetit të Ministrave ku do të mund të votohej për pranimin në këtë organizatë.
Lekaj kërkon që qeveria Kurti të jap dorëheqje e më pas të bëhet shpërbërja e parlamentit.
“Zoti Kurti ka hapur një temë për zgjedhjet e parakohshme apo të jashtëzakonshme vetëm për të hequr përqendrimin për atë që nuk po anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe nuk është në agjendë deri më tani. Mendoj që janë lojëra hileqare të zotit Kurti dhe ne nuk guxojmë që të bëjmë këso lojëra. Prandaj, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës prioritet e ka keqqeverisjen e kësaj dhe ne kemi kërkuar si prioritet tonin që ai të shkarkohet apo të jap dorëheqje, pastaj ta bëjmë shpërndarjen e parlamentit”, thotë Lekaj.
Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk pritet të jetë sot në agjendën e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, ku do të mund të votohej për pranimin e saj në këtë organizatë.
Ekzekutivi të enjten i ka dërguar letër Këshillit të Evropës për ta njoftuar se është duke përgatitur draft-statutin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, për ta dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Pas letrës së dërguar nga Qeveria e Kosovës drejtuar Këshillit të Evropës, për t’i hapur rrugë anëtarësimit të Prishtinës në KiE, në një letër të përbashkët, kancelari gjerman Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni dhe presidenti i Francës, Emmanuel Macron i drejtohen kryeministrit të Kosovës Albin Kurtit me një përgjigje të prerë duke i thënë se nuk do të pranohet kërkesa, nëse nuk do të ketë asociacion.
Në letër theksohet se “ekziston një rrezik real që pa progres vendimtar në asociacion, aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk do të marrë mbështetjen e mjaftueshme nga shtetet anëtare”.
Ndërkaq edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani nuk është konsultuar dhe dakorduar në lidhje me letrën e zotimit të Qeverisë për hartimin dhe dërgimin e draft-statutit të asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Këshilltari për medie në Zyrën e Presidencës, Bekim Kupina kishte thënë për KosovaPress se presidentja Osmani përkrah vetëm qëndrime dhe veprime paraprakisht të konsultuara, të koordinuara dhe të dakorduara me Presidencën.