Në një përgjigje ekskluzive nga Zyra për Media e Presidencës së Gjermanisë kanë konfirmuar se presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, në bisedën telefonike të zhvilluar më 14 maj rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Evropës, ia ka theksuar presidentes, Vjosa Osmani, rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serben nga institucionet e Kosovës.
Në përgjigje thuhet se Presidenti Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier ka theksuar përkrahjen e Gjermanisë për integrimin evropian të Kosovës, për aplikimin e Kosovës në Këshill të Evropës, për rëndësinë e vazhdimit të dialogut Kosovë-Serbi të ndërmjetësuar nga BE dhe gjithashtu edhe implementimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit.
“Në bisedën telefonike me Presidenten e Kosovës, Presidenti Federal i Gjermanisë theksoi mbështetjen e Qeverisë Federale për integrimin evropian të Kosovës, aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, si dhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së si dhe zbatimin e plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Presidenti Federal më tutje nënvizoi rëndësinë e hapave konkretë drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe nga autoritetet kosovare”, kanë thënë nga Zyra për Media e Presidencës së Gjermanisë.
Presidentja Osmani kishte njoftuar për bisedën me homologun gjerman më 15 maj, duke thënë se gjatë diskutimit kishte theksuar rëndësinë e madhe që të përfundojë me sukses procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.
“Dje fola me presidentin gjerman Frank-Walter Steinmeier për të diskutuar anëtarësimin e Kosovës në Këshill të Evropës. Theksova rëndësinë jetike për përfundimin me sukses të këtij procesi, për të siguruar që të gjithë qytetarët tanë të përfitojnë sa më shpejt nga instrumentet e Këshillit. Anëtarësimi ynë nuk do të ishte vetëm një fitore për të drejtat e njeriut në Kosovë, por edhe një fitore për kontinentin tonë dhe vlerat mbi të cilat ai qëndron fuqishëm”, kishte njoftuar presidentja në llogarinë e saj zyrtare në X më 15 maj.
Kjo telefonatë e Osmanit me presidentin gjerman ishte zhvilluar pak ditë para mbledhjes së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës dhe kur dihej qëndrimi i fortë i Qeverisë së kancelarit Olaf Scholz se Kosova duhet të bëjë hapa të prekshëm drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në mënyrë që të marrë përkrahjen e aleatëve për të hyrë në rend dite të Komitetit dhe për të marrë votën për anëtarësim.