Personi i dyshuar për tentativën për të vrarë kryeministrin Robert Fico mund të mos ketë vepruar i vetëm, ka thënë ministri i Brendshëm i Sllovakisë.
“Një ekip po heton mundësinë që sulmi i së mërkurës të mos ishte kryer nga një “ujk i vetmuar”, siç besohej më parë, u tha gazetarëve Matus Sutaj Estok të dielën.
Jeta e Ficos nuk është më në rrezik pas orëve të operacionit, por 59-vjeçari ende është në kujdesin intensiv, tha më herët zëvendësi i tij.
Të shtunën, i akuzuari për vrasje në tentativë u la në paraburgim deri në gjykim.
Sulmuesi i dyshuar nuk është emëruar zyrtarisht, por raportet sllovake e kanë identifikuar gjerësisht atë si Juraj Cintula 71-vjeçar nga qyteti Levice.
Mediat e atjeshme e kanë cilësuar si një poet që ka qenë i përfshirë në organizata politike me ideologji të ndryshme.
Në një konferencë për shtyp të dielën, Estok tha se është formuar një ekip hetimor, i cili gjithashtu do të shqyrtonte nëse i dyshuari “po vepronte në një grup të caktuar njerëzish që mund të kishin nxitur dhe mbështetur njëri-tjetrin”.
Një ditë pas atentatit në tentativë, Estok kishte thënë në një konferencë shtypi se i dyshuari kishte vepruar i vetëm dhe më parë kishte marrë pjesë në protesta antiqeveritare.
Më herët të dielën, zëvendëskryeministri Robert Kalinak tha se jeta e Ficos nuk ishte më në rrezik.