///

Po udhëtonte me veturë me shpejtësi prej 126 kilometra dhe rregullonte kubin e Rubikut – policia publikon pamjet

Drejtoria e Përgjithshme spanjolle për Trafikun (DGT) ka shpërndarë në internet një video tronditëse, që shfaq një shofer duke testuar aftësitë e tij për zgjidhjen e enigmave me një kub të Rubikut ndërsa ishte duke lëvizur me veturë me shpejtësi prej 126 kilometra në orë.

Videoja, e cila u regjistrua në vitin 2019, por së fundmi u shpërnda nga DGT, tregon një shofer duke rrotulluar kubin në duar dhe duke biseduar me pasagjerin pranë ndërsa ngiste me shpejtësi të madhe.

I kapur në kamera, shoferit të papërgjegjshëm iu dorëzua më pas një njoftim për shkelje.

Shumë vetura moderne janë të pajisura me teknologji të avancuar të asistencës së shoferit, të tilla si asistenca për mbajtjen në korsi dhe kontrolli adaptiv, por automjeti në qendër të këtij incidenti ishte një Peugeot 307 SË, i cili nuk ka asnjë nga këto veçori të avancuara të ndihmës së shoferit.

Autoritetet spanjolle të trafikut shpërndanë videon për të ndërgjegjësuar për rreziqet e drejtimit të shpërqendruar.

“Për disa, drejtimi i veturës kërkon kaq pak vëmendje saqë ata besojnë se mund të mbajnë telefonin e tyre celular, të hanë, të grimohen ose të luajnë Kubin e Rubikut”, thuhet në postimin e DGT-së.

Nuk është hera e parë që dikush kapet duke u përpjekur të zgjidhë një kub Rubik pas timonit, ku policia e Surrey-t në Mbretërinë e Bashkuar kishte kapur dikë duke bërë të njëjtën gjë vitin e kaluar.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.