/

Ratko Mlladiq kërkoi të lirohet me kusht – siç pritej, refuzohet kërkesa e kriminelit të luftës

Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale (IMCM) hodhi poshtë kërkesën e kriminelit të luftës Ratko Mlladiq, ish-komandant i Shtabit Kryesor të Ushtrisë së Republikës Serbe (VRS), për lirim me kusht ose për të vazhduar vuajtjen e dënimit të përjetshëm në Serbi.

Në vendimin e kryetares së MMKS-së, Graciela Gatti Santana, thuhet se më 26 prill të vitit 2024, Mlladiq ka paraqitur kërkesë për lirim me kusht në Serbi për arsye humanitare ose për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit atje. Si arsye për këtë kërkesë, Mlladiq ka deklaruar se sëmundja e tij nuk është trajtuar, se ai do të ketë kujdes më të mirë shëndetësor në shtetin serb, si dhe pengesa gjuhësore me të cilën po përballet aktualisht.

Gatti Santana vuri në dukje në vendim se statuti i Mekanizmit parashikon që dënimi me burg duhet të kryhet në një vend me të cilin Kombet e Bashkuara kanë marrëveshje dhe se Serbia nuk do të ishte një opsion i mundshëm për ekzekutimin e dënimit të shqiptuar nga MMKS.

“Duke kryer vetëm rreth 13 vjet të dënimit të tij të përjetshëm, Mlladiq nuk e ka arritur ende pragun e pranueshmërisë për lirim të parakohshëm”, thuhet në vendim.

Ndryshe, më 8 qershor të vitit 2021, Mekanizmi nxori një vendim të shkallës së dytë me të cilin konfirmoi dënimin e përjetshëm të kriminelit Ratko Mlladiq për gjenocidin në Srebrenicë, persekutimin e boshnjakëve dhe kroatëve, terrorizimin e qytetarëve të Sarajevës dhe marrjen peng të anëtarëve të UNPROFOR-it.

Mlladiq u lirua nga akuza e parë e aktakuzës për gjenocid në pesë komuna – Prijedor, Sanski Most, Kotor-Varos, Foça dhe Vlasenica.

Në kuadër të monitorimit të rregullt të shëndetit të Mlladiqit, presidenti ka pranuar një raport nga Njësia e Paraburgimit të Kombeve të Bashkuara, e cila tregon se gjendja shëndetësore e Mlladiqit aktualisht është stabile dhe se ka progres të dukshëm.

“Në bazë të informacionit që kam, besoj se rrethanat bindëse humanitare të cilave iu referua Mlladiq nuk janë të vërtetuara në këtë fazë dhe se Mlladiq po merr të gjithë kujdesin e nevojshëm në Njësinë e Paraburgimit. Besoj se kërkesa duhet të refuzohet”, përfundoi Gatti Santana.

Sipas vendimit të marrë më 10 maj, presidenti i bëri thirrje Sekretarit të Mekanizmit që të sigurohet që, nëse kjo nuk ka ndodhur tashmë, që Mlladiq të marrë sa më shpejt dokumentacionin mjekësor që ka kërkuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.