Qeveria e Kosovës ka mirëpritur gatishmërinë e Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu i cilësoi këto masa si të padrejta.
“Ne e mirëpresim gatishmërinë e Bashkimit Evropian që të largoj masat e padrejta ndaj Kosovës. Me 22 prill, me rastin e përfundimit procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi në Bratislavë me Bashkimin Evropian për deeskalimin e situatës në veri të vendit. “, tha ai.
Derisa sipas tij Bashkimi Evropian ka të gjitha arsyet për të hequr masat ndaj Kosovës.
“Sipas çdo parametri, deeskalimi në katër komunat në veri të vendit tashmë ka ndodhur. Rikujtomë se tre nga këto katër komuna kanë nënkryetare gra nga komuniteti jo shumicë serbe, me të cilat si Qeveri kemi komunikim dhe bashkëpunim të rregullt. Një pjesë e madhe e drejtorive në këto komuna drejtohen nga profesionistë të komunitetit serb. Procesi i konvertimi i targave në RKS është përmbyllur me sukses. Qytetarët kanë vijuar të pajisjen me dokumente të Republikës së Kosovës. Deri më tani mbi 2/3 e numrit total të aplikimeve për konvertimin e patentë shoferëve ilegalë në të Republikës së Kosovës janë regjistruar në katër komunat në veri. Si dëshmi e radhës e normalitetit dhe integrimit. Bashkimi Evropian ka i të gjitha arsyet për të larguar masat e vëna. Ne urojmë që gatishmëria e tyre të kthehet së shpejti në veprim për të larguar këto masa.” u shpreh Kryeziu.
Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha të martën se Bashkimi Evropian është i gatshme që t’i heq masat ndëshkuese ndaj Kosovës, por kjo, sipas tij, bazohet në hapat që do t’i ndërmarr Qeveria e Kosovës për plotësimin e kushteve.