Në edicionin e 21-të të “Javës së Bibliotekës” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, me temën “Transformimi i bibliotekave në Kosovë”, është hapur qendra e digjitalizimit të bibliotekës dhe është përuruar projekti për qasjen e personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar që çdo individ të ketë mundësi të barabarta që të shfrytëzojë burimet e përbashkëta, teksa këto projekte janë financuar nga fondet e Qeverisë së Kosovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Qeveria ka prioritet ruajtjen e kujtesës si bazë të dijës sonë kombëtare.
Gjithashtu, Kurti ka shtuar se deri më tani janë digjitalizuar rreth 600 mijë objekte digjitale përfshirë edhe gazetën “Rilindja” dhe koleksionet e rralla të vjetra.
“Sot jemi mbledhur për të kremtuar disa prej shtyllave të demokracisë sonë, barazinë dhe qasjen e hapur për të gjithë dhe ruajtjen të vlerave njerëzore…3:56 Do të vizitojmë qendrën e digjitalizimit të bibliotekës, kjo qendër është një dëshmi e përkushtimit tonë për të ruajtur dhe mbrojtur trashëgimin tonë kulturore për brezat e ardhshëm që do të vinë pas nesh, do të ndjekim përurimin e projektit qasje për personat me aftësi të kufizuar, ky projekt ka krijuar hapësira me qasje për personat me aftësi të kufizuara në objektin e bibliotekës, duke siguruar që çdo individ do të ketë mundësi të barabarta që të shfrytëzojë burimet e përbashkëta, ekspozita kujtesa për Skënderbeun. Mbi gjysmë milionë euro të fondeve të Qeverisë së Kosovës janë dedikuar për digjitalizimin e shërbimeve të bibliotekës Kombëtare. Deri më tani janë digjitalizuar rreth 600 mijë objekte digjitale përfshirë gazetën “Rilindja” dhe koleksionet e rralla dhe të vjetra. Qeveria jonë ka prioritet ruajtjen e kujtesës si bazë të dijës sonë kombëtare”, ka thënë Kurti.
Ndërsa, ushtruesja e detyrës së drejtueses së Bibliotekës Kombëtare, Bukurie Haliti është shprehur se falë buxhetit dhe për kujdesit nga Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Kulturës, biblioteka ka pasur mundësinë që të bëj hapat e duhur.
“Me synimin që të ngrehim një debat kulturorë për bibliotekat, sfidat e tyre dhe ndërmarrjet që ato po realizojnë. Kemi bërë hapa të vegjël për të ndryshuar, tani Qeveria dhe ministria ka shumëfishuar buxhetin për bibliotekën dhe jemi në sfidën se a kemi resurse humane të përgatitura pas gjithë kësaj mbështetjeje, këtë buxhet ta kthejmë me plan strategjikë të mirë menduar. Falë këtij buxheti dhe këtij përkujdesi, biblioteka ka pasur mundësi të bëj hapa konkretë që duhen”, është shprehur ajo.
Po ashtu, anëtarja e këshillit drejtues të Bibliotekës Kombëtare, Blerta Ismaili ka shtuar se epoka e sotme digjitale kërkon përshtatjen e rolit të bibliotekave, por pa e zbehur rëndësinë e tyre.
“Një rast i veçantë për të shënuar ndikimin thelbësorë që kanë bibliotekat në shoqërinë tonë, por edhe për të shqyrtuar mundësitë e përshtatjes së tyre. Epoka e sotme digjitale me ritmet e shpejta të zhvillimeve kërkon përshtatje të rolit të bibliotekave, por pa e zbehur rëndësinë e tyre”, ka shtuar ajo.
Në këtë ngjarje të pranishëm ishin edhe Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku dhe Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.
“Java e bibliotekës” në Kosovë do të zhvillohet nga data 27 maj deri më 2 qershor 2024.