/

Ali Ahmeti: Ç’kuptim ka demokracia nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët?

Lideri i Frontit Evropian, Ali Ahmeti, në një press konferencë tha se nuk do të lejohet asesi të shkilet mbi legjitimitetin e popullit. Ahmeti shtoi se Fronti Evropian ka triumfuar në 20 komuna, me një diferencë me mbi 30 mijë vota përballë opozitës shqiptare.

“Fronti Evropian dhe opozita shqiptare, në muajt dhjetor 2023 dhe janar 2024, bashkarisht dakorduan dhe firmosen deklaratë për mos-hyrje në partneritet qeveritar pa ndryshimet kushtetuese dhe garantimin e rrugëtimit europian. Përkundër të gjitha argumenteve dhe numrave e rezultateve, edhe me deputetë, edhe me numra absolut votash, edhe me fitore në dy të tretat e komunave, humbësit e zgjedhjeve, pa legjimitetin e sovranit, u nënshtruan tërësisht duke injoruar vullnetin e popullit, Marrëveshjen e Ohrit, legjitimitetin dhe pa patur aspak respekt për ata që sollën të gjitha këto ndryshime cilësore në vendin tonë. Në këtë kontekst, qytetarët na pyesin, ç’kuptim ka demokracia në vendin tonë nëse komuniteti shumicë përcakton se kush i përfaqëson shqiptarët, turqit, romët, boshnjakët dhe komunitetet tjera? Pse këto komunitete duhet të organizohen në parti politike dhe te marrim pjesë në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombasve të tyre nëse, pa marrë parasysh vullnetin e komuniteteve tona, për ata vendos sipas preferencave dhe para-pëlqimeve partia më e madhe maqedonase?

Kjo mendësi, ky veprim vazali, na kthen në kohën para më shumë se dy dekadave kur komunitetet diskriminoheshin, trajtoheshin si qytetarë të rendit të dytë dhe nuk respektoheshte vullneti i votës së lirë të komuniteteve, por të tjerë vendosnin për ne. Të dashur miq, legjitimiteti është shtylla e stabilitetit, sigurisë, mirëqenjes, barazisë. Prandaj, ne, bashkë, po nisim betejën e respektimit të frymës së Marrëveshjes së Ohrit që bazohet në legjitimitetin dhe të drejtën zakonore për përfaqësim nga ata që e kanë legjitimitetin e komuniteteve”, tha Ali Ahmeti.

Leave a Reply

Your email address will not be published.