/

MPJD jep detaje për secilin shtetas të Kosovës që janë arrestuar në Serbi “për gjoja krime lufte”

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), ka dhënë detaje për secilin rast të arrestimit të qytetarëve të Kosovës, të arrestuar në Serbi nën dyshimet për gjoja krime të luftës.

Në përgjigjen e dhënë për Radio Dukagjinin, MPJD i ka renditur rastet e arrestimeve nga Serbia:

Sipas të dhënave në posedim të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, shtetasit e Republikës së Kosovës të arrestuar në Serbi nën akuzat për gjoja Krime Lufte,  janë si më poshtë:

  1. Nehat Thaçi, i arrestuar në vitin 2019, i liruar pas rreth një muaj e gjysmë qëndrimi në burgjet serbe;
  2. Hasan Preteni, i ndaluar po ashtu, gjatë vitit 2019, por që është liruar pastaj;
  3. Nezir Mehmetaj, i arrestuar më 3 janar 2020, i cili ende është duke u mbajtur në paraburgim në Burgun Qendror në Beograd, ndaj tij është duke u zhvilluar procesi gjyqësor dhe që nuk ka përfunduar ende;
  4. Petrit Dula, i arrestuar në muajin qershor 2022, dhe pastaj i dënuar nga Gjykata e shkallës së parë e Beogradit, Departamenti për Krime të Luftës, mirëpo, i liruar nga Gjykata e Apelit në muajin prill 2023;
  5. Hasan Dakaj, i arrestuar më 5 janar 2024, i cili ende është duke u mbajtur në paraburgim, në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd;
  6. Sadik Duraku, i arrestuar më 17 prill 2024, i cili po ashtu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd; dhe
  7. Tefik Mustafa, i arrestuar më 1 qershor 2024, të cilit nga Gjykata e Lartë për Krime të Luftës e Beogradit i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve, dhe i cili po ashtu është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit të Gjykatës së Lartë për Krime të Luftës në Beograd. Në lidhje me këtë rast Ambasadori Jashari ka vizituar z. Mustafa dhe ka biseduar me të rreth trajtimit të tij në paraburgim.

Në përgjigje thuhet se “MPJD përmes Ambasadës së Republikës së Kosovës në Otava, ka njoftuar Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kanadasë, si sponsorizuese e  iniciativës kanadeze që ndalon veprimet e tilla arbitrare të shkaktuara nga shtetet e ndryshme për qytetarët e vendeve tjera, pjesë e së cilës është edhe Republika e Kosovës”.

Sipas MPJD-së, shtetasit kosovarë të arrestuar në Serbi janë vizituar rregullisht nga diplomatët të Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës.

“Këta shtetas të Republikës së Kosovës të arrestuar në Serbi me akuza për gjoja krime të luftës, janë vizituar rregullisht nga diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Serbi, si dhe, sikurse në rastin e z. Nezir Mehmetaj, janë përcjellë të gjitha seancat gjyqësore”, thuhet në përgjigje.

Po ashtu, kjo Zyre sipas MPJD-së i ka njoftuar rregullisht vendet e QUINT-it.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi, përveç vizitave të rregullta në burg si dhe pjesëmarrjes në seancat gjyqësore, si dhe komunikimit me familjarët dhe avokatët mbrojtës të tyre, i ka njoftuar rregullisht, përmes shkresave dhe takimeve, misionet diplomatike të akredituara në Serbi, me theks të veçantë ato të vendeve të Kuint-it”, thuhet në njoftim.

Po ashtu kjo Zyrë thuhet se ka kërkuar edhe nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë që të njoftohen me rrethanat e rasteve.

“Zyra Ndërlidhëse, po ashtu në secilin rast të arrestimeve të tilla, ka kërkuar zyrtarisht nga Qeveria e Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë që të njoftohet me rrethanat e rasteve të këtyre arrestimeve, duke kërkuar sqarime konkrete për arsyet e arrestimeve si dhe trajtimin që autoritetet serbe e aplikojnë ndaj tyre”, thuhet në përgjigje.

Tutje MPJD ka kërkuar nga ndërkombëtarët të marrin hapa konkret në mënyrë që shtetasit e Kosovës në Serbi të lirohen sa më shpejt.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka dënuar ashpër ndalimin, arrestimin dhe keqtrajtimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe njëkohësisht i ka bërë thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të ndërmarrë hapa konkret për lirimin e menjëhershëm të tyre dhe njëkohësisht të kërkojë përgjegjësi nga shteti serb për këto veprime arbitrare dhe destruktive dhe që bien ndesh me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në përgjigje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.