/

​Kurti: Kosova më e zhvilluar se kurrë më parë, ia ka vlejtur fort sakrifica për çlirim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se Kosova për herë të parë pas përfundimit të luftës , do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale, e cila do të adresojë plagët e së kaluarës dhe do të ndërtojë një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët e vendit.

Në mbledhjen e qeverisë, kreu i ekzekutivit, ka thënë se miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi parë për t’i realizuar përpjekjet e tyre.

Në fjalën e tij, Kurti tha se sot shteti i Kosovës është më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia më e shëndoshë e qeverisja po bëhet përherë e më e mirë, për çka shtoi se sakrifica për çlirim ndër gjenerata ia ka vlejtur.

“Krahasuar me katër vjet më herët e kemi sivjet 50 për qind më të lartë bruto produktin vendor. Qytetarët janë më të lirë, dhe shteti është më i pavarur e më i zhvilluar se kurdoherë më parë, demokracia është përherë më e shëndoshë, e qeverisja po bëhet përherë më e mirë. Pra, çlirimi, sakrifica gjithëkombëtare ndër gjenerata, shpallja e pavarësisë ja kanë vlejtur fort, edhe në aspektin e rritjes ekonomike dhe demokracisë qytetare. E puna jonë duhet të vazhdojë, në rend ditës së mbledhjes së sotme, mes vendimeve të rëndësishme e kemi një më të veçantë, për herë të parë pas përfundimit të luftës, Republika e Kosovës do të ketë strategji për drejtësi tranzicionale. Populli i Kosovës ka kaluar nëpër sfida të mëdha, ka përjetuar dhimbje e vuajtje të pamatshme, ky dokument strategjik është edhe një hap përpara në përpjekjet tona për të adresuar plagët e së kaluarës dhe për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë për të gjithë qytetarët tanë. Miratimi i kësaj strategjie është vetëm hapi parë, zbatimi i saj kërkon përkushtim, bashkëpunim dhe mbështetje nga gjithë ne ”, tha Kurti.
Kurti tha se në mbledhje të Qeverisë erdhi pas takimit me diplomatin amerikan, Wiliam Walker, për të cilin tha se është mik i madh i Kosovës, duke shtuar se Walker ishte ai që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë që po ndodhnin në vendin tonë në kohën e luftës.

“Në mbledhje po vij nga takimi me mikun e madh të Kosovës e të vërtetës, diplomatin amerikan, William Walker. Ky njeri i jashtëzakonshëm ishte ai që ngriti zërin për padrejtësitë dhe mizoritë të cilët po ndodhnin në vendin tonë. Me guxim dhe integritet, ambasadori Walker dhe misioni verifikues i OSBE-së dokumentuan dhe dëshmuan krimet e rënda që po kryheshin nga Serbia ndaj popullit tonë. Raportet nga terreni shërbyen si një thirrje për ndërgjegjen ndërkombëtare, dhe nxiten reagimin e komunitetit ndërkombëtar. Ai angazhim dhe ato dëshmi ishin katalizatoret që quan në ndërhyrjen e NATO-s, puna dhe përkushtimi i ambasadorit Walker me ekipet e tij ishin thelbësore për të nxjerrë në dritë të vërtetën dhe për të siguruar mbështetjen ndërkombëtare që na ndihmoi të arrijmë lirinë tonë”, shtoi Kurti.

Kurti gjithashtu njoftoi se aktivitetet për nder të 25-vjetorit të Çlirimit do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim.

Leave a Reply

Your email address will not be published.