/

Reagimet për shtatoren e Tony Blair “Marre” e “maskaradë” – drejtori i Fondacionit s’i pranon kritikat, sulmon mediat

Në 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, në Ferizaj është përuruar shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair, njeriut që ruajti rol kyç në vendimin e NATO’s për ndërhyrje. Por, as për këtë shtatore nuk kanë munguar kritikat. Madje, me të janë tallur edhe në Mbretërinë e Bashkuar, ku nëpër rrjete sociale është thënë se shtatorja ngjan më shumë me aktorin dhe këngëtarin australian, Jason Donovan. Kritikat nuk janë mirëpritur fare nga Drejtori i Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”, Bashkim Fazliu.

Shtatorja e ish-Kryeministrit të Mbretërisë së Bashkuar, Tony Blair, që u përurua në Ferizaj më 12 qershor për Ditën e Çlirimit, është kthyer në temë diskutimi edhe në Kosovë, edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Qytetarët në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se shtatorja më shumë i ngjason aktorit dhe këngëtarit Australian, Jason Donovan.

Për këto komente ka raportuar dje mediumi “Independent“. Komentet filluan pas publikimit të fotografisë së statujës nga ish-sekretari i Blair, Alistair Campbell, në një përpjekje për të inkurajuar publikun që të votojë për Partinë Laburiste.

“Statuja e Tony Blair u zbulua në Kosovë. Nuk jam i sigurt nëse, dhe ku, do të ngrihen statuja për ndonjë nga pesë kryeministrat që kanë çuar vendin tonë mbrapa në 14 vitet e fundit. Votoni për Partinë Laburiste nëse dëshironi një qeveri serioze që bën punë të mëdha”, shkroi Campbell.

Mediumi shkruan tutje se shumë përdorues në rrjetet sociale nuk mund t’u besonin syve të tyre kur panë figurën e zbuluar, dhe shumë prej tyre menduan se kishte ndodhur një gabim. Krahasimet e statujës së Blair me aktorin australian Jason Donovan, i njohur për rolin e tij në serialin “Neighbours,” u bënë virale dhe shkaktuan të qeshura të mëdha.

Kritika për këtë shtatore ka pasur edhe në Kosovë. Gazetari Ilir Mirena ka reaguar ashpër, duke thënë se u bëm “hor” me ndërkombëtarët që na kanë ndihmuar gjatë luftës.

“Marre çka eshte kah ndodh me keto statuja e permendore gjithandej Kosoves. Tallja me to ka mberritur deri ne mediat e Britanise… Secila me e deformume dhe e shemtume se tjetra. Me figurat historike ia huqin secilit proporcion fizik. Me nderkombetaret qe na kane ndihmu gjate luftes hor u bonem. E fundit kjo e Tony Blairit…”, ka shkruar Mirena.

Ai ka propozuar krijimin e një komisioni që do t’i rishikonte të gjitha.

“Mire do t’ishte qe ndonjehere te krijohej nje komision i cili do t’i rishikonte te gjitha. Dhe aty ku duhet, me i ndrru, me i punu te tjera, nga skulptore profesioniste e te perzgjedhun permes ndonje jurie serioze.  Nuk i lehet kjo pune injoranteve qe gdhendin bishta te drunit per shati e kacija, a far skulptori plak te kohes se Enver Hoxhes diku ne Tepelene a Korçe, me i mbush hapesirat publike te qyteteve tona…”, ka shkruar tutje Mirena.

Punën në këtë shtatore e ka kritikuar edhe zyrtari i Ministrisë së Punëve të Jashtme, Leutrim Sahiti, i cili ka thënë se më mirë që Blair nuk ishte në Ferizaj kur u përurua, meqë shtatorja vetëm atij nuk i ngjason.

“Mirë që ish-kryeministri Tony Blair nuk ishte në Ferizaj për ta parë atë turp që iu bë me shtatoren, që vetëm atij nuk i ngjason. Është koha e fundit që turpet dhe skandalet e tilla t’i parandalojmë duke përcaktuar me ligj që vetëm shteti me komision të veçantë të miratojë versionin final të shtatoreve, busteve, duke përfshirë edhe vendin ku vendoset por edhe kujt i ndërtohet shtatore apo bust.  E dhimbshme në çfarë niveli kemi arritur duke komercializuar edhe historinë tonë të lavdishme për interesa të ngushta ekonomike dhe politike”, ka shkruar Sahiti.

Edhe moderatori Fehmi Ferati ka bërë një reagim për këtë çështje,

“Kush e ndalon këtë maskaradën me buste e statuja vend e pavend, kemi me ja punu një përmendore!”, ka shkruar Ferati.

Këto kritika nuk janë mirëpritur fare nga Drejtori i Fondacionit “Ne kujtojmë Tony Blair”, Bashkim Fazliu.

I kontaktuar për këto kritika, Fazliu në vend të ndonjë komenti rreth shpërfytyrimit të Blair ka filluar të sulmojë mediat.

Reagimet në Britani i ka lidhur me procesin zgjedhor atje.

“Çfarë media të pista kemi. Unë jam pro mediave dhe kam luftu për media që me qenë të lira, mirëpo qaq jeni kaniherë që e çoni ujin tjetër kund e nuk e kuptoni. Ju duhet me ditë që Britania e Madhe është në proces zgjedhor, kjo është një betejë politike që nuk na takon neve. Nuk është betejë e jona. Ne nuk na intereson ata çka bajnë mes vete. Çka ka lidhje çka mendon anglezi a ia kom ngrit unë Tony Blairit shtatoren a jo. Unë ia kom ngritë se e ka meritu dhe u kanë gjëja e duhur me ba, këtë mundesh me shkru. Edhe 1 milion herë me pas pas mundësi ia kisha ngritë sepse e ka meritu. Është një prej miqve tanë që ka punu ma së shumti për neve, që është angazhu më së shumti për Kosovë.. Edhe me vonesë ia kemi ngrit. Këtij është dashtë nashta të parit, tana Clintonit. Qekjo është me rëndësi për neve si shqiptarë, si Kosovë, qëky narracion. Ti do me i hedh pluhun, hije një vepre që është prit qe sa nuk është bë. Për kë punoni ju? Për Serbi po bën tifo a? “, ka thënë Fazliu.

Lidhur me raportimin e mediumit britanik, ai ka thënë “Çka është tu ma ndi mu çka është tu shkru Indipendent. Ajo është çështje e politikës së tyne, ne nuk na intereson. Nuk më intereson çka mendon bota për Tony Blairin, më intereson ne shqiptarëve që na ka nimu. Kjo është me rëndësi”, ka deklaruar tutje ai.

Ndryshe, Fazliu të martën ka publikuar një letër që ia ka dërguar Tony Blair, ku i ka shprehur mirënjohjen dhe i ka thënë se do ta vizitojë në të ardhmen.

“Desha t’ju shkruaj para 25 vjetorit të Çlirimit të Kosovës më 12 Qershor për të shprehur mirënjohjen time më të sinqertë për vendosmërinë tuaj të plotë për të porositur një shtatore time në qytetin e Ferizajt. Ky është një nder i vërtetë dhe më vjen shumë keq që nuk mund të jem i pranishëm në shpalosje.

Miqësia e njerëzve të Ferizajt është jashtëzakonisht e rëndësishme për mua dhe jam jashtëzakonisht i përulur nga respekti që ju dhe ata që keni shfaqur ndaj meje. Kam pasur nderin të pranoj ftesën e Presidentit tuaj për të vizituar Kosovën këtë javë. Kosova do të ketë gjithmonë një vend në zemrën time dhe jam i vendosur që në të ardhmen të vizitoj njerëzit e Ferizajt dhe shtatoren”, thuhet në letër.

Leave a Reply

Your email address will not be published.