Real Madridi po e mbyll shitjen e tyre të dytë këtë verë, pasi paraprakisht kishin arritur marrëveshje me Milanin për transferimin e mbrojtësit të djathtë Alex Jimenez për pesë milionë euro.
“Rossonerët” ishin gjithashtu të interesuar për transferimin e mbrojtësit Rafa Marin, por 22-vjeçari duket se është shumë pranë kalimit tek Napoli.
Sipas Fabrizio Romanos, Marin tashmë është pajtuar në lidhje me kushtet personale me klubin italian dhe gjithçka që ka mbetur është drita e gjelbër nga “Los Blancos” dhe klauzola e riblerjes.
Napoli ka mposhtur konkurrencën e Milanit dhe Juventusit duke marrë kështu kryesimin në garën për shërbimet e tij.
Marca raporton se shuma që do të paguhet për transferimin e tij është mes 12-15 milionë eurosh dhe Real Madridi do të ketë të përfshirë klauzolën e riblerjes.
Kjo klauzolë mund të aktivizohet në vitin 2026 për shumën e 30 milionë eurove dhe mund të rritet më shumë pas një viti.
Pas një sezoni fantastik në huazim tek Alavesi, dukej se Marin do të rikthehej në “Santiago Bernabeu” për të luftuar për nëj vend në formacionin startues.
Megjithatë Real Madridi nuk njihet si klub që promovon talentët nga akademia dhe për këtë arsye kanë vendosur që të fitojnë para nga shitja e tij dhe ta përforcojnë ekipin me lojtarë të tjerë.