Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka refuzuar kërkesën e dëshmitarit Kurtesh Fondaj në rastin e ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale, për të pasur avokat.
Fondaj u shpreh të mërkurën se kërkon avokat duke thënë se është keqpërdorur gjatë marrjes në pyetje nga gjyqtari në dëshmitë e djeshme.
Pas pauzës 15-minutëshe, Smith u shpreh se dëshmitari s’e ka inkriminuar veten dhe se duhet të ketë bazë të fortë për të pasur avokat gjatë dëshmisë.
“Askush nuk ka pretenduar se keni kryer krim… sipas rregullores sonë gjyqtarët mund t’i drejtojnë pyetje, ju duhet të përgjigjeni dhe ta thoni të vërtetën…Kërkesa juaj për një avokat në këtë moment rrezohet”, ka thënë Smith.
Çka tha Fondaj në dëshminë e së martës?
Ish-komandanti i Brigadës 123 në Zonën e Pashtrikut, Kurtesh Fondaj, ka deklaruar para Gjykatës Speciale në Hagë, të martën, se kishte shkuar në fshatin Negroc për të diskutuar me pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm se ku mund të sistemohej në Ushtrinë Çlirimtare.
Në këtë takim, që sipas dëshmitarit Fondaj ndodhi më 10 qershor 1998, mori pjesë edhe i akuzuari Jakup Krasniqi.
“Paraprakisht është përmendur, është lakuar emri im dhe ka mbetur që të takohem me Sokol Bashotën për t’u sistemuar brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për atë qëllim kam shkuar. Nuk kam shkuar të kontaktoj me të tjerët, por kontakti është bërë në shtëpinë e Jakup Krasniqit, ku prezent ka qenë edhe zotëri Krasniqi. Ndërsa më vonë ka ardhur nga lëvizja në terren edhe Bislim Zyrapi”, ka thënë Fondaj.
Fondaj ka thënë se atje shkoi bashkë me ish-komandantin Blerim Kuçi, i cili u raportoi pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm.
Foli edhe për vendimin për dënim me vdekje të Kuçit për akuzat ndaj tij për dezertim pasi ai kishte shkuar në Shqipëri.
Po ashtu, është shprehur se ka dhënë deklaratë te Sokol Dobruna, prej ku e fitoi përshtypjen se ai ishte prokuror e jo gjyqtar i UÇK-së.
“Ka qenë edhe takimi, momenti kur unë kam dhënë deklaratë para Sokol Dobrunës. Deklaratën unë e kam dhënë para Sokol Dobrunës, prandaj edhe pretendoj se ai ka qenë prokuror e jo gjyqtar – në rastin e Blerim Kuçit”, ka thënë Fondaj.
Dobruna ka qenë kryetar i Gjykatës së UÇK-së.
Avokati i Krasniqit, Aidan Ellis, e pyeti në lidhje me vendimin e Dobrunës për “pushkatim të Kuçit” gjatë kohës së luftës, por që ai vendim nuk është zbatuar.
“Dhe ju menduat se përderisa Bislim Zyrapi ishte shef shtabi, ai e kishte mundësinë që të bënte diçka lidhur me fatin e Blerim Kuçit, a është kështu dëshmitar?”, ka pyetur avokati.
Dhe mori përgjigje nga dëshmitari.
“E kisha bindjen se deklarata e Bislim Zyrapit duhej të ishte vendimtare për fatin e Blerim Kuçit, prandaj edhe kam komunikuar me Bislim Zyrapin”, ka thënë Fondaj.
Ai ka thënë, po ashtu, se i kërkoi Bislim Zyrapit që ta lirojë nga arresti Blerim Kuçin, me arsyetimin se ai kishte shkuar në Shqipëri për t’i dalë në ndihmë UÇK-së.
Gjyqtari Guénaël Mettraux i parashtroi pyetje për një dokument që u prezantua në gjykatë e i referohej dezertimit të Kuçit, si dhe një kodi penal ushtarak.
“Ne dimë që hapi i radhës në këtë proces është ajo që ka ndodhur më 16 janar 1999. Është një shkresë nga UÇK-ja, Shtabi i Përgjithshëm ka numrin e protokollit, i është dërguar Prokurorisë Ushtarake të UÇK-së, mban titullin ‘Raport’, është nënshkruar nga Fatmir Limaj dhe ka lidhje me të akuzuarin Blerim Kuçi. Në këtë shkresë shpjegohet se më 11 shtator ‘98 ka kryer veprën penale dezertim të paraparë në Kodin Ushtarak dhe vazhdon përshkrimi më tej. A e dini ju se a kishte atë kohë Ushtria Çlirimtare e Kosovës kod ushtarak”, pyeti Mettraux.
Dëshmitari ka thënë se nuk i di dokumentet e Shtabit të Përgjithshëm.
“Nuk jam në dijeni të dokumentacioneve që i ka poseduar Shtabi i Përgjithshëm, nuk jam në dijeni”, u shpreh Fondaj.
Anëtari i trupit gjykues, Mettraux, e pyeti edhe lidhur me atë nëse flitej për dezertimin si vepër penale. Dëshmitari u përgjigj se nuk është i sigurt se ekzistonte diçka e tillë, tek shprehu edhe dyshime lidhur me dokumentin për të cilin gjyqtari tha se mban nënshkrimin e Fatmir Limajt.
“Si term, dezertim po, por të konsiderohet ose të definohet ose të klasifikohet si vepër penale, s’e di… Në terminologji pak normale që këtu kemi të bëjmë me huqje të shumë gjërave, sepse këtu shkruan poshtë jurist i diplomuar, por unë për vete nuk jam jurist por, megjithatë, në këtë tekst gjej hapësirë për debat”, ka thënë dëshmitari.
Ai u pyet edhe nëse e dinte se Fatmir Limaj, në kohën sa qe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, përkatësisht, shef i Policisë Ushtarake, është marrë me ndjekje penale.
“A keni pasur dijeni ju që në atë kohë Fatmir Limaj si drejtor i Drejtorisë së Policisë Ushtarake ka qenë i përfshirë në hetime dhe ndjekje penale të personave, në këtë rast një anëtari të UÇK-së”, pyeti Mettraux. Dëshmitari mohoi. Në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues se a e di nëse Blerim Kuçi ishte ndaluar nga pjesëtarë të UÇK-së dhe se ishte mbajtur për një periudhë kohore në Kleçkë, Fondaj u shpreh se e di që Kuçi ishte ndaluar.
“Që është ndaluar e di, por saktë ku ka qenë i ndaluar nuk e di”, ka thënë dëshmitari.
Dëshmitari Kurtesh Fondaj u shpreh se në bazë të përvojës së tij komandantëve të brigadave nuk u duheshin leje prej Shtabit të Përgjithshëm për të caktuar hierarkinë brenda përbrenda brigadave.
“Ekipin e kam formuar unë. Se si ka funksionuar me brigada të tjetra nuk e di, por në princip ka funksionuar njësoj. E këtë po e përmendi në fazën në fund të dhjetorit ‘98 dhe janarit ‘99 unë kam qenë ndihmës edhe i Brigadës 122 edhe i Brigadës 124 dhe atje emërimet, vendosja e stafit komandues janë bërë me pëlqim të komandantit të brigadës dhe realisht pa ndonjë interferencë nga strukturat më të epërme ose komanduese, nivelit më të lartë”, ka thënë ai.
Në pyetjet e avokatit të Rexhep Selimit, Joeffrey Roberts, dëshmitari ka konfirmuar se nuk ka dijeni direkte për ngjarjet para 10 qershorit 1998, meqë ajo ishte data kur është inkuadruar në UÇK.
Në këtë rast po gjykohen Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi.