“Ne nuk e pranojmë mesazhin e ngushëllimit të ambasadës amerikane. Ne e refuzojmë atë”, citohet të ketë thënë ministri i Brendshëm, Suleyman Soylu në komentet televizive.
Turqia ka refuzuar të hënën ngushëllimet e SHBA-së për vdekjen e gjashtë personave në një sulm me bombë në Stamboll për të cilin Ankaraja fajësoi një grup militant kurd.
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre, lëshoi një deklaratë të dielën, duke thënë: “Shtetet e Bashkuara dënojnë fuqishëm aktin e dhunës që ndodhi sot në Stamboll, Turqi”.
Ndryshe, presidenti Rexhep Tajip Erdogan shpesh akuzon Uashingtonin për furnizim me armë për luftëtarët kurdë në Sirinë veriore, të cilësuar si “terroristë” nga Ankaraja.
Ndërkohë, një zyrtar turk refuzoi të komentojë mbi raportet për bisedimet SHBA-Rusi në Turqi të hënën, por tha se Ankaraja po punonte me disa vende kundër terrorizmit, duke përfshirë ato për një shpërthim të së dielës në Stamboll.
Ankaraja fajësoi për sulmin e së dielës në Stamboll militantët kurdë, kundër të cilëve ka kryer disa operacione në veri të Sirisë.
Departamenti i Policisë së Stambollit ka dalë me një deklaratë rreth sulmit me bombë të ndodhur të dielën, 13.11.2022 në rrugën Taksim Istiklal në lagjen Beyoğlu të Stambollit.
Në këtë drejtim, duke folur rreth identitetit të të dyshuarit, është thënë se në operacionin e zhvilluar në adresën e caktuar në orën 02.50 është kapur e gjallë shtetasja siriane Ahlam Albashir, që supozohet se ka kryer aktin.
Autoritetet thanë se gjashtë persona u vranë dhe 81 u plagosën në shpërthimin e së dielës në “Istiklal Avenue”, një rrugë e famshme e mbushur me dyqane dhe restorante që të çon në sheshin ikonik Taksim.
Pesë persona të plagosur në sulmin terrorist të Stambollit janë nën kujdes intensiv, dy prej tyre në gjendje të rëndë, tha të hënën ministri turk i Shëndetësisë, Fahrettin Koca.