Një ngjarje e rëndë tronditi mesnatën e së shtunës qytetin e vogël të Memaliaj në Tepelenë. Tre të vrarë dhe një i plagosur në gjendje të rëndë është bilanci i një atentati të ndodhur rreth orës 23:00 të mbrëmjes së djeshme në një lokal në lagjen nr.3 pas godinës së Bashkisë Memaliaj.
Shënjestër e atentatit ka qenë Shyqyri Kalemi, babai i Andrea Kalemit, i cili nuk i mbijetoi dot plumbave.
I plagosur ka mbetur Artur Kalemi, xhaxhai i Andrea Kalemit. Viktima, Shyqyri Kalemi, është babai i Adriatik dhe Zamir Kalemit, të afërm të Aleksandër Sadikajt të vrarë me eksploziv në Tiranë në korrik 2022.
Po ashtu, viktima kanë mbetur kamarieri 36-vjeçar, Gledio Muka dhe klienti 47-vjeçar, Marsel Çela, dy viktima të pafajshme të cilët kanë qenë në lokal në momentin e ngjarjes.
Dyshohet se autorët kanë qenë të paktën 3 persona, të cilët kanë ardhur me makinë të zezë nga qyteti i Memaliajt në drejtim të lokalit.
Një prej tyre ka zbritur nga mjeti dhe ka qëlluar me breshëri në drejtim të Shyqyri Kalemit, i cili ishte ulur në një tavolinë jashtë lokalit.
Plumbat kapën dhe vëllanë e tij, si edhe kamarierin Gledian Muka që ishte pranë tavolinës. Ndërkohë, klienti, Marsel Çela që mbeti i vdekur, ka qenë brenda në lokal.
Pas atentatit, autorët janë larguar në drejtim të Mallakastrës, ku në fshatin Bejaj kanë djegur makinën me të cilën kryen atentatin.