Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ka zhvilluar sot aksion që rezultoi me arrestimin e disa personave të dyshuar për dallavere me patentë shofer. Sinjali raportoi ekskluzivisht që nga nisja e aksionit në Pejë dhe për emrat e disa prej të dyshuarve që përfunduan në pranga.
Gazeta ka mësuar se dhjetë persona që dyshohet se janë përfshirë në këtë veprimtari korruptive ishin cak i shtetit, por vetëm gjashtë prej tyre u arrestuan.
Të dyshuarit e tjerë nuk janë gjetur në vendbanimet e tyre, “pasi gjenden në pushime” – tha prokurorja Valbona Haxhosaj.
Në bazë të informacioneve të para, njëri prej të arrestuarve është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore.
Në mesin e të dyshuarve është edhe pronari i autoshkollës “Vosa” në Deçan, Denis Tafilaj dhe zyrtari nga zyra rajonale në Pejë, për dhënien e patentë shoferëve, Ahmet Shala.
Aksioni tashmë ka përfunduar, ndërsa brenda afatit ligjor pritet të bëhet edhe kërkesa për masën e paraburgimit ndaj personave të dyshuar.