“Edi Rama pasi ka garantuar të gjitha kanalet e narko-eurove, tani kërkon të kthejë Durrësin në Dubain e tij. Por njëkohësisht edhe në “lavatriçen” më të madhe të Europës dhe më gjerë. Me 12600 apartamente, në një truall prej 1 milionë metrash katrorë, Durrësi bëhet qyteti më pabanueshëm i botës. Tejkalon për dendësi çdo lagje, apo qytet mbi planet, por këto janë që shoqërojnë këtë vjedhje të paimagjinueshme”.
Tha se pas kësaj mega-afere qëndron Kryeministri Rama si aksioner kryesor.
Teksa në komisionet parlamentare diskutohej kontrata për projektin e Portit të ri të Durrësit, Sali Berisha nga mbledhja e kryesisë së Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Rama se përmes këtij projekti kërkon ta kthejë këtë qytet në “lavatriçen” më të madhe të pastrimit të parave në Europë.
“Lidhjet janë të kristalta me Beogradin dhe Lukashenkon e Bjellorusisë nëpërmjet vëllezërve Karriç. Vëllezërit Karriç pasi u vendosën në sanksione për bashkëpunim me Llukashenkon, kompanitë e tyre të regjistruara në Qipro, i shitën në Emiratet e Bashkuara dhe konkretisht tek këto kompani që po merret Edi Rama me to. Vëllezërit janë aty, i ka botuar Euroactiv, i shitën me një çmim 30 herë më të ulët seç ishin. Natyrisht aksioner më kryesor është vetë Edi Rama”, u shpreh Berisha.
Gjatë mbledhjes së Kryesisë, Berisha tha se opozita nuk do ndalet nga betejën e nisur në sheshe me qytetarët, teksa u ndal edhe tek gara në parti për primaret, duke ironizuar procesin në kampin rozë.
“Si në shpellën e mafies, ku nuk merr kush vesh sepse vendos mafia për kandidatët, ne besoj se arritëm të tregojmë diferencën që na takonte”, u shpreh Berisha.
Në garën e primareve kanë zyrtarizuar kandidaturat 200 përfaqësues të Partisë Demokratike. Kryesia pritet të zyrtarizojë edhe emrat e kandidatëve që do të garojnë për tre bashkitë e mëdha, atë të Tiranës, Elbasanit e Durrësit.
Në Tiranë pjesë e garës janë deputeti Belind Këlliçi, Ilir Alimehmeti, Gerti Bogdani, Julian Deda, Adriana Kalaja, Enkelejda Fejzo, Fatmir Merkoçi.
Për Bashkinë e Elbasanit demokratët do të garojnë nënkryetarin Luçiano Boci, i cili ka marrë mbështetjen e të gjitha grupimeve brenda demokratëve. Ndërsa për Bashkinë e Durrësit pjesë e garës për zgjedhjet lokale të 14 Majit është ish-deputetit Igli Cara./Tv Klan