Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta të shtetit shpesh kanë qenë cak i kërcënimeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia. Kështu ka ndodhur për disa herë me radhë me drejtorin e Inspektoratit në Komunën e Lipjanit, Flamur Sylejmani.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se Sylejmani ka raportuar në Polici se në veturën e tij ka gjetur një fishek, të cilin e ka hasur pasi shkoi ta marrë automjetin në autolarje.
Sinjali mëson se motivi që dyshohet se e ka shtyrë personin apo personat e dyshuar për ta kanosur Sylejmanin mund të lidhet me punën e tij në drejtorinë e Inspektoratit, siç ka ndodhur edhe në të kaluarën.
Posa rasti është denoncuar, Policia ka intervenuar në vendin e ngjarjes, me ç’rast fisheku është konfiskuar si dëshmi, ndërsa viktima ka dhënë deklaratën e tij.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar inicimin e rastit si “Kanosje” dhe ndërmarrjen e veprimeve hetimore që zbulojnë rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja.
DTV