/

Pesë raste të dhunës në familje në një ditë

Pesë raste të dhunës në familje janë regjistruar vetëm të dielën, ka njoftuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24-orësh.

Për një rast në Prishtinë, raportohet se një burrë është ankuar për dhunë psikike dhe fizike ndaj tij nga dy gra.

Njëra prej të dyshuarave është arrestuar dhe pas intervistimit, me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt.

“Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se dy të dyshuarat femra kosovare kanë ushtruar dhunë psiqike dhe fizike ndaj tij. Lidhur me rastin është arrestuar njëra e dyshuar dhe e njëjta pas intervistimit me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt” thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë mëngjesit të së dielës, në Fushë Kosovë një grua dhe një burrë dyshohet se janë sulmuar fizikisht pas një mosmarrëveshje.

“Është raportuar për një mos marrëveshje në mes të dyshuarit mashkull dhe një femre kosovare, ku sipas tyre pas një mosmarrëveshje verbale të njëjtit më pas kanë sulmuar fizikisht njëri –tjetrin. Lidhur me rastin palëve u është ofruar tretman mjekësor. Pas intervistimit me vendim të prokurorit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në njoftim.

Edhe dy rastet tjera të regjistruara në Malishevë kanë të bëjnë me ushtrimin e dhunës psikike dhe fizike ndaj dy grave.

Viktimat kanë pranuar trajtim mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti e kishte ushtruar dhunë fizike dhe psiqike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Lidhur me rastin palët janë intervistuar me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë.

“Malishevë  03.03.2024, 18:30 – Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje e kishte sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet tutje në njoftimin e Policisë.

Ndërsa, të dielën është arrestuar edhe një person tjetër në Gjakovë, që dyshohet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje” më 29 shkurt.

Gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe sekuestruar dy pushka ajrore dhe një pistoletë pa leje.

“Lidhur me rastin më 03.03.2024 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar  si dhe është bërë kontrolli në shtëpinë e tij ku  gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar dy pushka ajrore dhe një pistoletë pa leje”, thuhet në njoftim.

Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Leave a Reply

Your email address will not be published.